Europiani U-17, Shqipëria nis grumbullimin

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-17 është gati të nisë aventurën në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022 për grupmoshën 17 vjeç.

Përfaqësuesja kuqezi e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku është e shortuar në grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut, me këtë të fundit që do të jetë vendi pritës i ndeshjeve të këtij grupi.

Tekniku ka publikuar edhe listën me 24 lojtarë të thirrur për tri ndeshjet zyrtare ku 11 prej tyre aktivizohen në klube të huaja, ndërsa 13 në kampionatin shqiptar. Kombëtarja e 17-vjeçarëve ka zhvilluar përgatitje intensive që nga muaji gusht e deri më tani me grumbullime të vazhdueshme, pjesëmarrje në “Torneo delle Nazioni” në Itali si edhe miqësore me Kosovën dhe me klube të ndryshme shqiptare. Tashmë grupi i lojtarëve është i kolauduar dhe gati për të treguar vlerat në këtë kompeticion zyrtar.

Kuqezinjtë nisin grumbullimin pikërisht sot në kompleksin Tropikal në Durrës për të vijuar deri të dielën, datë 24 tetor, përgatitjet në Shqipëri. Më pas, përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Irlandës së Veriut ku më datë 27 tetor do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Italisë. Më datë 30 tetor kuqezinjtë do të sfidojnë Skocinë dhe më datë 2 nëntor përballen më vendasit e Irlandës së Veriut.

Më poshtë edhe lista me emrat e 24 lojtarëve të thirrur nga trajneri Ervin Bulku për ndeshjet e Europianit:/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.