TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi sot seancë dëgjimore me dy kandidatët për pozicionin vakant të anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, prof. asoc. dr. Eltjon Halimi dhe prof. asoc.dr. Rezana Konomi (Perolla).
Në fjalën e saj, kandidatja Rezana Konomi tha se me një përvojë prej 31 vitesh karrierë akademike dhe kontribute shkencore në fushën e konkurrencës mund të japë kontributin e saj në këtë Autoritet për vendimmarrje jetike për ekonominë.
Ndërsa kandidati tjetër, Eltjon Halimi tha se mbrojtja e ekonomisë së çdo familjari duhet të jetë prioritet i punës sonë, ashtu si dhe ndikimi për vendosjen e standardeve për konkurrencën për çdo produkt apo shërbim, në mënyrë që të mbrohen interesat ekonomike të shoqërisë. Po ashtu, sipas tij, prioritet do të jetë parandalimi i çdo lloj marrëveshjeje që ka synim krijimin e marrëveshjeve të ndaluara, si ato në formën e kartelit me ndikim negativ jo vetëm për konsumatorin, por edhe shoqërinë në përgjithësi.
Të dy kandidatët u pyetën edhe për qëndrimet e tyre në lidhje me vendimin më të fundit të Autoritetit të Konkurrencës për rritjen e çmimit të bukës në vend.
Kandidatët u shprehën se nuk kanë informacion të plotë për të gjykuar mbi vendimmarrjen.
Komisioni kaloi të dy kandidaturat për votim në seancën plenare të radhës.
/j.p/r.e/





















