Ballina Flash

Nis kursi i ri “UEFA PRO”

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Edicioni i tetë i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA Pro”, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbolli, ka nisur zyrtarisht ditën e sotme.

Në këtë kurs, që do të zgjasë rreth 8 muaj do të marrin pjesë 20 trajnerë, të cilët do të ndjekin kurrikulën e përgatitur nga UEFA, në bashkëpunim me FSHF-në.

Kursi zhvillohet në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz, duke respektuar të gjitha masat kufizuese dhe protokollet sanitare kundër COVID-19 dhe do të drejtohet nga përfaqësuesit e Sektorit të Edukimit, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj, të cilët janë edhe përgjegjës për organizimin e këtij programi arsimor, në bashkëpunim me Departamentin Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit, që drejtohet nga Giancarlo Camolese.

Ky nuk është kursi i vetëm që organizohet nga FSHF-ja, pasi më herët janë organizuar edhe kurset e niveleve të tjera të licencimeve për trajner, ku janë diplomuar emra të njohur të trajningut shqiptar.

UEFA PRO është niveli më i lartë i licencës dhe trajnerët që zotërojnë këtë licencë mund të drejtojnë çdo lloj skuadre në Shqipëri dhe jashtë vendit./m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSeancë dëgjimore me 2 kandidatë për Komisionin e Konkurrencës
Artikulli tjetërKurti: Do ulim më tej importet nga Serbia, synim forcimi i bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë