Ballina Ekonomi

3 kompani aplikojnë për park eolik në Jorgucat, Gjirokastër

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend atraktiv për ndërtimin e impianteve eolike për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme. Një park eolik është një grup turbinash të erës, në të njëjtin vend, të cilat përdorin energjinë e erës për të prodhuar energji elektrike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se shoqëria bashkimi i përkohshëm i shoqërive “EU GREEN ENERGY” sh.p.k., “A.91” sh.p.k. dhe “WINPHARMA” sh.p.k. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 20 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Jorgucat, në Gjirokastër.

Kompani të shumta kanë kërkuar të hyjnë në treg për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme.

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë (MIE) e Republikës së Shqipërisë hapi në mesin e këtij viti një proces konkurrues për impiantet për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia e erës (eolike) me kapacitet të lartë dhe me vendndodhje në tokë.

Ankandi u jep mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte të cilat kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe kapacitet maksimal 75 megavat. Çmimi i parafiksuar do të drejtohet për 100 megavat të cilat do të blihen nga qeveria për konsum dhe çmimi tavan do të jetë 75 euro për megavat.

Në fazën e parë do të verifikohet eksperienca teknike, burimet financiare dhe pozita ligjore e kompanive që do të futen në garë. Në fazën e dytë do të shqyrtohet oferta financiare.

Në ndihmë të investitorëve, qeveria vendosi një studim, financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), me mbështetjen e BERZH-it. Ky raport teknik rekomandon zonat potenciale me energji nga era dhe shmang përmes hartave të gjitha zonat e mbrojtura dhe ato ku nuk mund të vendosen parqet eolike.

Sipas studimit, 20 % e territorit shqiptar nga veriu në jug në një lartësi mbi 150 m mbi nivelin e detit rezulton me potencial për ndërtimin e këtyre parqeve.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – A po perëndojnë e majta dhe e djathta ekstreme gjermane?
Artikulli tjetërDeputetët e PD kërkojnë pjesëmarrje fizike në komisionet parlamentare