TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kalaja dhe monumentet përreth ishin në qendër të një aksioni pastrimi të zhvilluar sot nga bashkia e Beratit.
Punonjësit e bashkisë pastruan nga vegjetacioni dhe mirëmbajtën hapësirat pranë monumenteve të kulturës në lagjen Kala.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo publikoi disa fotografi nga ky aksion ndërsa thekson se “vijon puna me pastrimin në çdo rrugicë në lagjen e Kalasë, mikpritësen e turistëve tanë”.
Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve dhe jo vetëm është detyrë dhe përgjegjësi për të ofruar një turizëm cilësor. Kalaja e Beratit vijon të jetë atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror. Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.
/j.p/r.e/






















