TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot qeverinë Rama 3 me 77 vota pro.
Pas një seance maratonë që nisi dje në orën 10:00 të paradites dhe përfundoi sot në mëngjes rreth orës 06:35, Kuvendi miratoi projektvendimin për miratimin e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës, që mori 53 vota kundër dhe 1 abstenim.
Seanca nisi me paraqitjen e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave nga Kryeministri i emëruar me dekretin e Presidentit të Republikës.
Më pas seanca vijoi me përgjigjet e pyetjeve të deputetëve nga anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Seanca vijoi më tej me debatin mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, i cili vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.
/r.e/






















