SHBA – OKB zgjat misionin politik në Afganistan

UASHINGTON, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Këshilli i Sigurimit i OKB -së rinovoi sot për gjashtë muaj, deri më 17 mars 2022, misionin e tij politik, Manua, në Afganistan.

Rezoluta, e miratuar njëzëri nga 15 anëtarët e Këshillit, këmbëngul në “rëndësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese”, si edhe bën thirrje për “pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave, respekt për të drejtat e njeriut, përfshirë gratë, fëmijët dhe pakicat ”.

Projektrezoluta u hartua nga Estonia dhe Norvegjia, një vend që mirëpriti menjëherë një “mesazh të bashkuar” nga Këshilli në lidhje me Afganistanin.

Në gusht, një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, që bëri thirrje për lirinë e lëvizjes për afganët që dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre, fitoi vetëm 13 vota, me Rusinë dhe Kinën që abstenuan.

Në dokumentin e tij të fundit, Këshilli i Sigurimit nënvizon “rolin e rëndësishëm që Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan”.

Rezoluta njeh, gjithashtu, “nevojën për të dyfishuar përpjekjet për të ofruar ndihmë humanitare për Afganistanin” dhe riafirmon “rëndësinë e luftës kundër terrorizmit” në vend.

Sipas burimeve diplomatike, talebanët nuk kanë shprehur kundërshtim ndaj zgjatjes së misionit të OKB -së./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.