ROMË, 19 gusht /ATSH-ANSA/ – Mbulimi global i popullsisë me vaksinat antiCOVID-19 është vendimtar për të parandaluar variantin Delta, mbizotërues në shumicën e botës, nga grumbullimi i mutacioneve që e bëjnë atë më të rrezikshëm, sipas të dhënave të para mbi këtë temë të mbledhura nga Universiteti i Maryland-it dhe që lidhen me 16 vende.
Të dhënat janë në dispozicion në internet në platformën medRxiv, që mirëpret artikujt që presin rishikimin nga komuniteti shkencor.
“Ne kemi paraqitur dëshminë e parë, sipas të cilës shkalla e mbulimit me vaksina është e lidhur në mënyrë të kundërt me shkallën e mutacionit të variantit Delta të virusit SarsCoV2 në 16 vende”, shkruajnë studiuesit.
“Të dhënat tregojnë fuqishëm se vaksinimi i plotë kundër COVID-19 është vendimtar për të shtypur mutacionet në zhvillim”, shtojnë ata.
Në dritën e këtyre të dhënave, studiuesit vërejnë se vaksinimi global, domethënë i popullsisë botërore, është vendimtar për të parandaluar transmetimin e virusit.
Është e vërtetë edhe se “vetëm strategjia e vaksinimit nuk është e mjaftueshme” dhe se është, gjithashtu, e nevojshme të vazhdohet me ruajtjen e masave parandaluese, të tilla si mbajtja e maskës dhe distanca e sigurisë./ /ervo/























