TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Më shumë se 15,000 doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” mbërritën në Tiranë të hënën në mbrëmje.
Lajmin e bëri të ditur sot Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, i cili thekson se këto vaksina janë të financuara nga Bashkimi Europian dhe të mundësuara nga Austria.
Delegacioni i BE në Tiranë gjithashtu apelon qytetarët që të vaksinohen që të jemi të gjithë më të sigurt dhe ta mundim pandeminë së bashku.
“Më shumë se 15,000 doza BioNTech/Pfizer të financuara nga BE-ja dhe të mundësuara nga Austria mbërritën në Tiranë të hënën në mbrëmje. Vaksinohuni që të jemi të gjithë më të sigurt dhe ta mundim pandeminë së bashku”, thekson Delegacioni i BE.
Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç, për të kryer vaksinën në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruara duke u paraqitur vetëm me kartën e identitetit.
Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit, do të jenë kudo në territor për t’iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,203,087 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 530,322 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.
Në 24 orët e fundit janë kryer 4154 vaksinime.
/r.e/























