BRUKSEL, 8 korrik /ATSH-AFP/ – Certifikatat shëndetësore të lëshuara nga Zvicra do të pranohen në vendet e Bashkimit Europian nga e premtja dhe anasjelltas, njoftoi sot Komisioni Europian.
“Sot Komisioni miratoi një vendim që siguron se certifikatat COVID-19 të lëshuara nga Zvicra do të konsiderohen ekuivalente me certifikatat dixhitale Covid të BE”, tha zëdhënësi i ekzekutivit të BE-së, Christian Wigand.
“Në praktikë kjo do të thotë që nga nesër certifikatat Swiss Covid do të pranohen në BE nën të njëjtat kushte si certifikatat dixhitale Covid të BE-së. Po kështu Zvicra do të pranojë certifikatën shëndetësore dixhitale të BE-së për shtetasit e Bllokut të cilët do të jenë në Zvicër”, shpjegoi ai.
Tani për tani, 27 vendet e BE-së, si edhe Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, janë të lidhura me këtë sistem të përbashkët të certifikatave, që hyri në fuqi më 1 korrik dhe synon të lehtësojë udhëtimet brenda zonës europiane./ /ervo/























