ROMË, 8 korrik /ATSH-ANSA/ – Zbulohet një teknikë e re e diagnozës joinvazive, që bazohet te drita dhe që bën të mundur njohjen e tumoreve dhe disa sëmundjeve neurodegjenerative, siç është Alzheimeri, në një fazë të hershme.
Rezultati i këtij zbulimi u botua në revistën ”Nature Communications” nga Instituti Italian i Teknologjisë (IIT) dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimit (CNR).
Teknika përdor nanosondat në një mënyrë inovative për të marrë informacion nga organet dhe indet në një mënyrë joinvazive.
Taktika e re mund të zbatohet në të gjitha rastet kur qëllimi për t’u arritur është në një thellësi të tillë që teknikat e tjera ekzistuese diagnostike, të tilla si rrezet X ose rezonanca magnetike, nuk janë efektive.
Të udhëhequr nga Giancarlo Ruocco nga IIT dhe Marco Leonetti nga CNR, studiuesit simuluan në laborator përhapjen e dritës në një sistem kompleks siç është trupi i njeriut dhe më pas matën deformimin e saj falë një nanosonde 10 000 herë më të vogël se diametri i një qimeje floku.
“Me këtë teknikë ne jemi në gjendje të shohim se çfarë ndodh brenda indeve pa pasur imazhe reale, por duke rindërtuar sistemin bazuar në këndin e thyerjes së dritës”, vëren Ruocco.
Nanosondat sillen si një satelit i dërguar në hapësirë, i cili mbledh informacion në afërsi të saj dhe i transmeton ato në Tokë.
Ajo mat vetitë e dritës në afërsi dhe arrin ta dërgojë atë në instrumentet matëse të studiuesve.
Në këtë mënyrë informacioni mund të merret direkt duke shmangur ndërhyrjet më invazive.
”Falë këtij zbulimi mund të mendojmë për një brez të ardhshëm të nanosondave, të afta të na japin informacion mbi shfaqjen e ndryshimeve lokale të indeve biologjike në zona të paarritshme, siç ndodh për disa sëmundje neurodegjenerative ose për tumoret”, theksoi Ruocco./ /os/























