TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot një sërë projektligjesh që ishin në rendin e ditës të seancës së fundit plenare të legjislaturës IX.
Deputetët miratuan tri projektrezolutat, pas raportimeve të drejtuesve përkatës, Erinda Ballanca, Avokate e Popullit; Elisa Spiropali për DAP-in, në cilësinë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Çelo Hoxha, për veprimtarinë vjetore të ISKPK për vitin 2020.
Kuvendi e miratoi projektrezolutën për veprimtarinë e Avokatit të Popullit për vitin 2020 me rekomandimet përkatëse me 99 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenime. Projektrezoluta e Kuvendit për Departamentin e Administratës Publike për vitin 2020 u miratua me 93 vota pro, 6 kundër dhe 7 abstenime. Projektrezoluta e Kuvendit për Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri u miratua me 91 vota pro, 6 kundër dhe 9 abstenime.
Seanca e fundit plenare, miratoi gjithashtu edhe: Aktin normativ “Për një shtesë në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me 91 vota pro, 7 kundër dhe 8 abstenime;
Aktin normativ nr. 28, datë 6.7.2021 “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Faizer Oversiz dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, me 102 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim;
Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008 “Për pronësinë industriale” të ndryshuar””, me 89 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime;
Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10193, datë 3.12.2009, “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar”, me 95 vota pro, 4 vota kundër dhe 7 abstenime;
Projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 1/2021, të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian – Shqipëri, që ndryshon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe shteteve të tyre anëtare, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, duke zëvendësuar Protokollin 4 të saj, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ”, me 99 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime;
Projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri nr.1 i vitit 2021, miratuar më 24.6.2021, për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, dhe ndryshimi i marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës, dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj”, me 100 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime;
Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal Zviceran për Punët e Jashtme, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri për projektin “Lëviz Albania”, faza e dytë korrik 2019 – qershor 2023 ”, me 102 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim;
Projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore nr. 1/2021, miratuar më 21.6.2021, për ndryshimin e shtojcës 4 të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), që përcakton protokollin në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, të referuar në nenin 14, paragrafët 1 dhe 3, dhe që shfuqizon dhe zëvendëson vendimin nr. 3/2013 dhe vendimin nr. 3/2015 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”, me 101 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim;
Projektvendimin “Për zgjedhjen e Rozeta Ivanova anëtare zëvendësuese për pozicionin Komisioner i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Irena Ninon anëtare zëvendësuese për pozicionin Komisioner Publik” me 92 vota pro, 4 kundër dhe 9 abstenim;
Edhe seanca e fundit plenare, në vijim të kushteve protokollare antikovid, u zhvillua nën masa të posaçme.
/k.s/r.e/






















