TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të 84 bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër.
Ndër to janë 24 bursa studimi, për nxënësit e viteve përgatitore, dhe 60 bursa studimi, për nxënësit nga viti i parë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2021–2022.
Vlera vjetore e bursës do të jetë 95 600 lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.
Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër.
Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas përzgjedhjes mbi bazën e kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër, i cili, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. /j.p/






















