TIRANË, 18 maj/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana priti sot në një takim përfaqësues të Bashkimit Europian, në kuadër të Javës së Europës.
Arbana shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bashkimi Europian i ka dhënë Shijakut pas tërmetit dhe për të gjithë transformimin e Shijakut si një qytet europian falë mbështetjes së Kryeministrit dhe Qeverisë shqiptare.
“Mbështetja e Bashkimit Europian ka qenë e pazëvendësueshme sidomos në konferencën e donatorëve, ku vendet u sensibilizuan me situatën e vështirë që kaluam për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, duke na dhënë mbështetjen maksimale”, u shpreh Arbana.
Shijaku është pjesë e programit EU4Schools, ku falë investimit të BE-së po ndërtohet shkolla “Rilindja” dhe kopshti nr.2 me të gjitha kushtet europiane.
“Investimi në arsim është një investim për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë”, shtoi ai.






















