Ballina Flash

Osmani uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

PRISHTINË, 2 maj /ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.

Presidentja Osmani ka thënë se ringjallja, ringritja dhe shpresa janë elementet kryesore të kësaj feste, e cila edhe këtë vit po kremtohet në rrethana jo të lehta për secilin prej nesh.

“Nëpërmjet solidaritetit dhe urimeve virtuale, sot besimtarët do të mund ta përçojnë mesazhin e Pashkëve, duke respektuar masat antikovid dhe duke uruar që festimi i radhës  nuk do të na gjejë të distancuar fizikisht”, tha Osmani.

Më tej, në urimin e saj, presidentja Osmani ka theksuar se festat si kjo janë manifestim i vlerave tona të përbashkëta njerëzore, humanizmit e solidaritetit me të cilat çdo betejë fitohet, ngjallet shpresa për të ardhmen!

“Në këtë ditë feste, duhet t`i kujtojmë ata që po bëjnë të pamundurën për t`i zvogëluar humbjet dhe dhimbjet nga pandemia. Kremtet tona tradicionalisht janë shquar për solidaritet të ndërsjellë. Në këtë ditë, uroj që paqja dhe respekti të mbretërojë në secilën familje”, u shpreh Osmani.

Gjithashtu dhe kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët.

“Sot, besimtarët ortodoksë, dhe midis tyre dhe bashkatdhetarët tanë, kremtojnë Pashkët. Ju uroj atyre Pashkë të gëzuara! Për çdo vit, në pranverë, për plot dy mijëvjeçarë besimtarët kumtojnë me dashuri dhe bindje se sakrifica triumfon mbi egoizmin, se zemërgjerësia i kapërcen mëritë, se drita e mund errësirën, se jeta ngadhnjen mbi vdekjen. Triumfofshin dhe midis nesh!”, shprehet Kurti.

“Ky kumt thërret për punë, vetëmohim e disiplinë. Siç na kanë thënë e udhëzuar rilindasit tanë deri te më i fundmi i tyre At Fan Stilian Noli: me dashuri për njëri-tjetrin, për atdheun dhe gjuhën tonë. Për shumë mote Pashkët”, tha Kurti në mesazhin e tij te urimit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrinc Harry dhe Meghan në një koncert bamirësie për vaksinimin antiCOVID-19
Artikulli tjetërFOTOGALERI/ Kremtohen Pashkët Ortodokse