TIRANË, 5 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi dhe ekipi i kandidatëve për deputetë në këtë qytet, u takuan me banorë të lagjes “Qemal Stafa”, ku shpjeguan pikat kryesore të angazhimeve dhe programit të opozitës.
Bardhi u shpreh se besimi që po marrim nga njerëzit kudo e rrit përgjegjësinë për qeverisjen nesër.
“Në Elbasan kam mësuar një të vërtetë të madhe që na shton jashtëzakonisht shumë përgjegjësinë, që Elbasani me zor po pret ndryshimin, po ndryshim real. Gjatë këtyre ditëve kam takuar me mijëra të rinj të Elbasanit që kanë humbur shpresën se në këtë qytet mund të jetohet, që me zor po presin të shikojnë se çfarë do të ndodhë në 25 prill, për të marrë vendimin, të vazhdojnë të jenë pjesë e darkave tuaja, apo do të marrin rrugëtimin për jashtë vendit. Dhe kjo na e rrit përgjegjësinë por edhe na e forcon kurajon dhe vullnetin për të qenë krah tyre pas 25 prillit”, tha Bardhi.
“Nuk do na dëgjoni kurrë t’i shtrijmë dorën apo t’i kërkojmë bashkëpunim banditëve, qoftë kjo edhe me kosto të pushtetit, sepse nuk duam të vijmë në pushtet dhe të bëjmë këtë që bënë këta në tetë vite. Erdhen në pushtet me ndihmën e bandave dhe i shërbyen vetëm bandave duke braktisur mijëra qytetarë të Elbasanit, duke i detyruar fëmijët tuaj të largohen nga Elbasani, e duke i bërë prindërit tanë të flasin me vete nga mëngjesi deri në darkë se më çfarë do i ushqejnë fëmijët e tyre”, u shpreh ai.
Drejtuesi politik shtoi se program i PD do të krijojë kushte për punë dhe mirëqënie, dhe do të sjellë normalitet në vend.
“Secili prej nesh kërkon normalitet dhe ne do të kthejmë normalitetin në familjet e çdo shqipëtari, duke nisur nga mbështetja për biznesin që do të gjenerojë vende pune për ata të rinj që kanë një profesion apo që përfundojnë shkollën e lartë, do të përqendrojmë energjinë tonë në rritjen e pensioneve dhe të pagave, do ta ulim çmimin e energjisë elektrike e do të zerojmë gjithë ato taksa dhe tatime që na i kanë futur në faturat e ujit dhe të energjisë, që nuk po dimë as se çfarë po paguajmë dhe as se çfarë shërbimesh po marrim. Dhe ky që keni këtu në bashki ka filluar kopjon atë të Tiranës dhe s’ka lënë taksë pa futur te fatura e ujit, e ndërkohë që nuk merrni mbrapsht asnjë shërbim. Prandaj, 25 prillin e kemi si sprovë të gjithë bashkë, sprovë që duke qënë përkrah njëri-tjetrit dhe me mbështetje për njëri tjetrin, do ja dalim me sukses dhe për këtë të jeni të bindur”, tha Bardhi
Bardhi pohoi se vetëm fitorja nuk mjafton, ndryshimi do të vijë me një model tjetër qeverisje.
“Partia Demokratike do të fitojë në Elbasan dhe në të gjithë qarkun e Elbasanit, por fitorja nuk mjafton. Unë jam i sigurt se secili prej jush këtu nuk do thjesht fitoren e PD, kjo do ishte një punë e lënë përgjysëm. Ajo që ju prisni nga ne dhe që të gjithë bashkë do të bëjmë realitet është: të bëjmë të mundur ndryshimin, jo thjesht të ndryshojmë emrat që ulen në karrike. Prandaj kemi të gjithë shansin e fundit dhe këtë shans të fundit nuk do të duhet ta humbim”, tha Bardhi./j.p/r.e/












