Asnjë problem me fletët e votimit/ Celibashi: Postera me numrat e kandidatëve në çdo qendër votimi

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot në një konferencë për mediet se kompania sllovene që ka marrë përsipër printimin e fletëve të votimit ka konfirmuar se mund t’i qëndrojë afateve që janë kërkuar për printimin dhe sjelljen e fletëve në KQZ

“Procesi tashmë në pikëpamje të printimit dhe transportit është më i thjeshtë, sepse kemi fletë votimi më të vogla sesa ajo e rastit tjetër, kështu që nuk kemi asnjë problem me printimin dhe transportin e fletëve në KQZ. Fleta e votimit do të jetë në të njëjtin dimension në të gjitha qarqet”, tha ai.

Celibashi theksoi se duhet që këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me standardet.

Celibashi u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë.

Celibashi u shpreh se, “është e qartë që nuk do të jenë emrat në fletën e votimit, por numrat në fletën e votimit, tregojnë kandidatët e renditur sipas renditjes së partisë. Votuesit përpara se të shkojnë për të votuar duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit apo dhe të partisë poltike dhe koalicionit që do të zgjedhë. Në çdo qendër votimi, në hyrje do të vendosim postera të mëdhenj, ku tregohet numri që ka secili prej kandidatëve të secilës parti politike apo koalicion. Do të vendosim fletëpalosje në dhomën e fshehtësisë. Nëse votuesi do të konfuzionohet, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen që do të jetë në dhomën e fshehtësisë”.

Celibashi theksoi se, “një votues, mund të zgjedhë partinë politike ose koalicionin dhe vetëm një kandidat të kësaj partie apo koalicionit, nuk zgjedh dot dy. Nuk mund të zgjedhë një parti apo koalicion dhe kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër”.

Celibashi u shpreh se “edhe nëse votuesi zgjedh partinë apo koalicionin dhe jo deputetët është e vlefshme. Është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat, e nuk zgjedh partinë apo koalicionin”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.