UASHINGTON, 17 mars /ATSH-AFP/ – Banka Qendrore Amerikane (FED), që i la normat e saj të interesit të pandryshuara, paraqiti sot parashikime shumë të mira për ekonominë e SHBA-së në 2021, duke marrë parasysh reagimin e fundit në aktivitetin ekonomik dhe punësimin.
“Treguesit që masin aktivitetin ekonomik dhe punësimin janë ringritur kohët e fundit, megjithëse sektorët që kanë qenë më të prekurit nga pandemia mbesin të dobët”, vuri në dukje Rezerva Federale në një njoftim për shtyp.
FED tani pret që PBB-ja e SHBA-së të rritet në 6,5% këtë vit, përpara se të zbresë në 3,3% në 2022.
Në lidhje me punësimin, ajo vlerëson se shkalla e papunësisë do të bjerë në 4,5% këtë vit (kundrejt 5% të vlerësuar më parë), para se të bjerë në 3,9% vitin e ardhshëm.
Institucioni i fuqishëm financiar përsëriti, si në dhjetor, se mbetet “i përkushtuar për të përdorur të gjithë gamën e mjeteve në dispozicion të tij për të mbështetur ekonominë në këto kohë të vështira”./ /ervo/























