“Lista e PS-së, dinjitoze”, Pëllumbi: Skuadra e PS-së përfaqësuese, me elementë të rinj, energji dhe ide të reja

TIRANË, 17 mars /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputet dhe sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi sot se lista e PS-së është shumë përfaqësuese dhe dinjitoze dhe mbështetet në tri kolona: tërmeti, pandemia dhe Reforma në Drejtësi.

I ftuar në një emision televiziv, Pëllumbi u shpreh se, “jo vetëm PS, por çdo forcë politike në mënyrë të veçantë dhe e gjithë shoqëria shqiptare ka pësuar një ndryshim që nga fillimet e viteve 2000 dhe natyrshëm edhe PS ka pësuar reformimin, transformimin e vet”.

“Figura të reja, mendësi të reja dhe besoj se lista është përfaqësuese e alternativës socialiste të këtij momenti dhe asaj çfarë ne pretendojmë për zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë këndvështrim është një listë shumë përfaqësuese dhe dinjitoze që PS i paraqet elektoratit më 25 prillit. Ne kemi një filozofi të ndërtimit të asaj liste që mbështetet në tre kolona të sfidave që jemi ndodhur vitet e fundit, qoftë ajo e tërmetit, pandemisë por dhe kryereforma që është reforma në drejtësi”, theksoi Pëllumbi.

Pëllumbi u ndal dhe në largimin e disa emrave nga lista e PS-së. “Në çdo përgatitje listash për çfarëdolloj fushate sigurisht ka debate dhe dikutime alternativash deri sa të arrihet në momentin e fazës finale për të nxjerrë përfaqësuesit më të mirë në garë. Ka rinovim, largohen disa figura dhe afrohen disa të tjera, sepse vetë skuadra përfaqësuese e PS-së duhet të ketë patjetër elementë të rinj, energji dhe ide të reja”, theksoi ai.

“Gjithmonë ka disa njerëz që ikin dhe ka disa njerëz që vijnë kështu ka qenë gjithmonë në PS sepse në çdo zgjedhje ne kemi sjellë rinovim. Ka patur në kryesi të PS diskutime, por jo konfrontime”, tha Pëllumbi.

Pëllumbi u shpreh se fushata e sivjetshme është një fushatë ndryshe nga të gjitha fushatat e tjera, në kushtet e pandemisë.

“Dihej se nuk do të kishte grumbullime të mëdha, dhe PS nuk i ka, ndërsa PD dhe Basha janë në shkelje të drejtpërdrejtë të rregullave të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve. Përderisa janë vendosur disa rregulla  ato kanë për qëllim të ruajmë shëndetin e njerëzve. Në këndvështrimin tim, nuk ka rëndësi një votë më shumë sesa një jetë më shumë. Dhe në këtë aspekt ne kemi ndërtuar fushatën mbi këtë filozofi, duke u mbështetur te tubimet e vogla, në komunikimet virtuale dhe nga krahu tjetër kryeministri ka zgjedhur mënyrën e vet si do i drejtohet elektoratit, dhe ne nuk kemi ndërmend të bëjmë tubime të mëdha”, u shpreh Pëllumbi.

Pëllumbi u ndal dhe tek deklaratat e opozitës duke theksuar se “ngelet një opozitë nihiliste që nuk pranon asgjë”.

“Janë evidente si ka qenë sistemi shëndetësor dhe si është sot, pra transformimet e mëdha që janë bërë për sa i përket infrastrukturës, qoftë spitalet e reja, qoftë rikonstruksione, qoftë ndërhyrje të thella në raport me aparaturat që përdoren sot. Është evidente dhe preket nga shumë njerëz çështja e barnave. Jo vetëm ulja e çmimit të barnave, pra heqja e taksës 10 %, por dhe rritja e madhe e gamës së ilaçeve që janë të rimbursueshme. Kemi patur një numër prej 600 mijë personash që nuk merrnin shërbime se ishin të pasiguruar. Reforma që bë për shëndetësinë falas i ka përfshirë edhe këta brenda”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.