Ballina Aktualitet

Politika shqiptare uron Pavarësinë e Kosovës

TIRANË, 17 shkurt /ATSH – I. Vata/ Krerë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të politikës shqiptare kanë uruar sot ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Meta: Shqipëria e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën

Presidenti i Republikës, Iliri Meta në mesazhin e urimit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës thekson se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme.

“Në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë”, tha Meta.

Meta thekson se, “Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës”.

“Zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh në Kosovë treguan maturi dhe pjekuri politike të qytetarëve të Kosovës, si dhe dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre. Uroj që krijimi i institucioneve të reja të dala nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit në proceset integruese të vendit”, shtoi ai.

“Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve  për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën”, përfundon Meta.

Ruçi: Institucionet e reja do të përballojnë me sukses sfidat e mëdha

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në këtë ditë mjaft të rëndësishme për Kosovën thekson se liria e Kosovës është rezultat i luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në partneritet me aleatët e mëdhenj e strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

“Me rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ju dërgoj urimet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 ishte kurorëzimi i përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të Kosovës për liri, sovranitet e drejtësi. Kosova e pavarur është rezultat i Kosovës së lirë”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se, “liria e Kosovës është rezultat i luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj e strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.

“Ne kemi besim se rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit do të prodhojnë institucione të forta e të qëndrueshme, të afta për të përballuar sfidat e mëdha e të vështira të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, sot e në të ardhmen”, vijon Ruçi.

“Në këtë mision fisnik, Ju garantoj se Kuvendi dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë, si edhe më parë, mbështetjen e Kuvendit dhe institucioneve të Shqipërisë.
Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga SHBA, mbështet dialogun midis të dy vendeve, ndërmjetësuar nga BE, si edhe qëndrimin e Presidentit Biden se thelbësore për ecjen përpara të të dy vendeve është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, drejt njohjes së ndërsjelltë, e cila do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve dhe do të avancojë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, përfundon mesazhin e urimit Ruçi.

Basha: Krah Kosovës për ta çuar përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar sot Kosovën ku shprehet se do të bëjë gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës.

“Të dashur motra dhe vëllezër nga Kosova. Në këtë datë, të dytën më të rëndësishmen të kombit tonë, dua t’ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë!Sot kujtojmë me nderimin më të thellë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe mijëra bijat dhe bijtë e Kosovës që vunë në altarin e lirisë dhe pavarësisë jetët e tyre dhe gjakun e tyre”, shprehet Basha.

“Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës. Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës. Edhe një herë ju uroj nga zemra, Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, tha Basha.

Xhaçka: Një ëndërr që për shumë breza dukej e pamundur, sot ka 13 vjet që është realitet

Gjithashtu ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar sot Kosovën në 13-vjetorin e pavarësisë së saj.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Një ëndërr që për shumë breza dukej e pamundur, sot ka 13 vjet që është realitet! Nderim për të gjithë ata që punuan e luftuan për Kosovën  pavarur”, shprehet ajo. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Mbi 110 milionë raste në të gjithë botën
Artikulli tjetërArtisti Niko Kanxheri feston 74-vjetorin e lindjes