Ballina Ekonomi

Tabaku: Do të kthejmë balancën në institucione

TIRANË, 4 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka garantuar se Partia Demokratike, nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit, do të ngrejë çdo mekanizëm të mundshëm për të kthyer balancën në institucione, për të kthyer kontrollin në institucione, për t’ia dhënë ato njerëzve, qytetarëve shqiptarë.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Tabaku deklaron se “rënia ekonomike e Shqipërisë është 7.5 %”.

“Shqipëria ka pasur një përparim qesharak në 7 vitet e fundit në këtë raport. Dhe ky përparim që e kaloi Shqipërinë nga grupi i vendeve me demokraci hibride në grupin e vendeve me demokraci të lëkundur, është rezultat i vetëm një elementi dhe i një faktori, miratimi i Kodit Zgjedhor dhe marrëveshja e 5 qershorit”, – tha Tabaku.

“Këtë marrëveshje përmend dhe raporti për Demokracinë i “The Economist” ndërkohë që në të gjithë treguesit e tjerë vendi vazhdon të jetë po aq keq sa në 7 vitet e fundit. Marrëveshja e 5 qershorit u prish në kurriz të Demokracisë dhe Lirisë së qytetarëve për të zgjedhur një qeveri demokratike që punon për qytetarët dhe beson tek liria”, – vuri në dukje Tabaku.

“Prandaj rikthimi i demokracisë është beteja kryesore e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Dhe do të bëjmë çdo gjë, për të kthyer ekonominë dhe demokracinë në institucionet shqiptare për ta forcuar atë. Do të ngremë çdo mekanizëm të mundshëm për të kthyer balancën në institucione, për të kthyer kontrollin në institucione për t’ia dhënë atë njerëzve, qytetarëve shqiptarë. Në 25 prill fiton demokracia dhe humb Edi Rama. Në 25 prill fiton beteja kundër korrupsionit dhe humbet Edi Rama. Në 25 prill tregohet se sa demokratike është Shqipëria dhe më e rëndësishme është kthimi i lehtë i tranzicionit tek fituesi real i zgjedhjeve, tek Partia Demokratike”, përfundon Tabaku. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Rritja e infektimeve me COVID-19 mund të sjellë kufizim të orarit të lëvizjes”/ Brataj: Në duart e qytetarëve zbatimi i masave
Artikulli tjetërBasha takon kreun e Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop