TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në takim kryetarin e Parlamentit të Turqisë Mustafa Şentop.
Gjatë takimit Basha i shprehu mirënjohjen ndaj Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan për ndihmën e madhe që i ka dhënë vendit tonë për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti dhe përballimin e pandemisë COVID-19.
“Turqia është një mike e çmuar e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar dhe ka qenë pranë nesh në momente të rëndësishme për vendin dhe kombin tonë, si anëtarësimi në NATO, ndërtimi i Rrugës së Kombit, pavarësia e Kosovës dhe fushata për njohjen e saj”, – theksoi Basha.
Basha shprehu vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen midis vendeve tona duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike që do të sjellin zhvillim dhe punësim për qytetarët shqiptarë.
/k.s/r.e/























