“Rritja e infektimeve me COVID-19 mund të sjellë kufizim të orarit të lëvizjes”/ Brataj: Në duart e qytetarëve zbatimi i masave

TIRANË, 4 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ “Rritja e të infektuarve me COVID-19 mund të sjellë dhe rritje të kufizimit të orarit të lëvizjes”.

Kështu deklaroi kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj në një intervistë televizive ku bëri thirrje për respektim të masave të sigurisë, ndërsa paralajmëroi për rritje të mëtejshme të numrit të të infektuarve. Sipas tij, orari i lëvizjes mund të ulet nga ora 22:00, që është aktualisht në 20:00 apo edhe 18:00.

“Nëse rastet shtohen shumë dhe spitalet mbushen dhe rrezikohen resurset, patjetër që do të ketë shtrëngim masash. Pra lehtësimi, shtrëngimi apo mbajtja konstant e masave antiCovid varet nga vetë njerëzit. Nëse respektojnë masat atëherë shifrat nuk do të rriten dhe nuk do të ketë shtrëngime”, theksoi Brataj.

“Një rritje e tillë, të çon me patjetër drejt mbylljes, jo se them unë, por nuk mund të dalim kundër rregullave të natyrës. Lock down është dhe orë policore, ne po monitorojmë situatën me mjaft kujdes dhe orari lëvizjes mund të ulet. Mund të mbyllemi në 18:00 ose 20:00, nëse rriten rastet, prandaj duhen zbatuar masat. Këto janë zgjidhjet më të natyrshme, ulja e orarit mbyllja e aktiviteteve dhe të ngelen ato esencialet, të domosdoshme”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore ka bërë me dije se moshat më të prekura në dy javë kanë qenë 25-35 vjeç dhe fill pas kësaj, infeksioni nisi të përhapej e numri të rritej dhe për moshën mbi 50-vjeç.

“Duke filluar nga fundi i muajit ka rritje të numrit të të infektuarve dhe të shtruarve në spitale. Dihej se është një gjë që do të ndodhte. Shpresoj të mos vijojë me këto ritme dhe normal se shtimi i këtyre numrave çon në probleme. Në spitale ka akoma rezerva. Janë parashikuar skenarë të tjerë të spitaleve rajonalë. Në dy javët e para përhapja që ishte më e lartë tek mosha 14-25 dhe mosha 25-35 më të prekurat. Pastaj filloi një rritje e moshave 50-65 vjeç. Mosha nga 25-35 vjeç ka të sëmurë më shumë se çka pasur në të gjitha periudhat. Ky virus nuk lë shenjë dhe nuk duket dhe detyrimisht një gjë që nuk e shikon nuk e beson. Edhe në këto mosha ka pasur të sëmurë rëndë, por jo shumë. Mjekësia nuk është asnjëherë një shkencë e saktë. Dhe në ato mosha do të ketë forma të rënda. Sa më shumë përhapet infeksioni aq më shumë do kemi dhe mosha të reja”, tha ai.

Brataj gjatë intervistës tha se po vlerësohet dhe situata kthimit në auditore e studentëve për provime, ndërsa për leksione është e pamundur.

“Po diskutohet mes Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë. E kemi diskutuar, konferenca u bë në fund të janarit dhe 3 ditë më pas kishte rritje dhe s’mund të mendosh të lirosh masat në një kohë që kemi rritje infeksioni. Janë të gjitha institucionet që i marrin vendimet. Për provimet është situata e vështirë për momentin nëse do të ketë masa të marrjes nga ana jonë në këtë moment patjetër që do të diskutohet, por është një situatë tepër delikate. Shifrën e 1000 të infektuarve s’e kishim kaluar ndonjëherë. Mund të jetë një mundësi për studentët për provimet duke ruajtur masat por ende s’e kemi marrë një vendim përfundimtar, diskutimet vijojnë”, – tha ai.

Duke folur për procesin e vaksinimit, Brataj tha se “Pfizer” është përzgjedhur pasi mund të përdoret dhe për moshën mbi 65-vjeç, ndërsa vaksina e “AstraZeneca”, e cila pritet të sjellë në vendin tonë 142 mijë doza brenda shkurtit nuk është miratuar për moshën mbi 65-vjeç.

“Nuk rekomandohet, sepse do një numër vullnetarësh të mjaftueshëm dhe sa të gjejmë vullnetarë do kohë. Për këtë moshë, pra mbi 65 vjeç zgjedhim ‘Pfizer’. Në këtë moment ne na intereson që del një gjë më shumë. Ne kemi 3 plane vaksinimi, 14, 18 ose 24 muaj. Do ishte ideale të bëhet skenari i parë, por derisa këto skenarë të mbarojnë ne s’duhet të ulim vigjilencën në zbatimin e masave antiCovid”, – tha ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.