TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, priti në një takim drejtoren e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krim (UNODC), në Shqipëri, Ela Banaj, dhe ekspertin e UNODC, në Organizatën Botërore të Doganave(WCO), Svetlan Savov.
Gjatë këtij takimi, biseda u përqendrua në zbatimin e programit të kontrollit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, ku UNODC ka prokuruar njëzet gjurmues kontejnerësh, GPS, të cilët do të vihen në dispozicion për nevojat e njësisë së kontrollit të kontejnerëve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Gjithashtu do të ofrohet trajnim i punonjësve për përdorimin e tyre.
Eksperti i WCO, do të zhvillojë një trajnim treditor mbi opioidet, të tilla si morfina dhe prekursorët e Drogave, që është çdo substancë, natyrore ose sintetike, që mund të përdoret për përfitimin e barit narkotik ose substancës psikotrope, ku do të marrin pjesë punonjësit e njësisë së kontrollit të kontejnerëve në Portin e Durrësit dhe të njësisë së kontrollit të kargove ajrore, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mbi indikatorët e riskut, tendencat e trafikimit/kontrabandimit dhe analizën e informacionit. /j.p/r.e/























