TIRANË, 21 tetor/ATSH-Bledi Naska/ Shekspiri njihet si autori i shumë kryeveprave të dramaturgjisë botërore dhe kujtdo vepre t’i referohesh, ai gjithmonë i flet realitetit, pavarësisht se në çfarë kohe vihet në skenë. Kjo është edhe arsyeja që ai dhe veprat e tij konsiderohen universale.
Pak muaj përpara shpërthimit të pandemisë u shfaq premiera e një prej kryeveprave të Shekspirit, ndërsa shfaqja rivjen në skenë për publikun.
Vepra e Shekspirit “Jul Cezari” këtë mbrëmje do të shfaqet për publikun e qytetit të Durrësit.
E vlerësuar maksimalisht nga kritika, me regji të të mirënjohurit Ivica Buljan, vepra vjen për të magjepsur spektatorin nën interpretimin fantastik të aktorëve Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Alert Çeloaliaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Ilia Kaçi, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Anxhelo Shkreli.
Shfaqjet e regjisorit Ivica Buljan kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Ivica Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002, duke i dhënë një tjetër vlerë të shtuar këtij teatri. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte Teatrin Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Europian. Buljan është gjithashtu bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit “Mini” në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb.
Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake. Drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. /j.p/r.e/






















