PD tre kallëzime për inceneratorët/ Basha: Mbi 400 milionë euro të shqiptarëve për 3 afera korruptive

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se përfaqësuesit e PD kanë bërë sot kallëzimin e tretë penal për inceneratorët.

“Ditën e sotme përfaqësuesit e PD po dorëzojnë kallëzimin e tretë penal për inceneratorin e Fierit në SPAK. Të hënën është dorëzuar kallëzimi për inceneratorin e Tiranës dhe dje për inceneratorin e Elbasanit”, tha Basha në një bashkëbisedim me gazetarët.

Basha u shpreh se, “Rama për një orë e gjysmë nuk ka dhënë sot llogari për atë që është sot një kallëzim zyrtar penal për vjedhjen e shekullit”.

“Mbi 400 milionë euro të shqiptarëve për 3 afera korruptive, të cilat deri sot i kanë kushtuar shqiptarëve 75 milionë euro të taksave të tyre”.

Basha tha se, Policia dhe Prokuroria japin informacione të hollësishme për çdo krim ordiner ndërsa për aferën e inceneratorëve nuk kanë dhënë akoma asnjë informacion.

Mos hetimi i SPAK, theksoi Basha inkurajon hajdutët të vjedhin më shumë.

“Në buxhetin e 2021 kanë planifikuar 120 milionë euro për kontratat korruptive të ashtuquajtura PPP dhe koncesione. Vetëm për inceneratorët 20 milionë euro të tjera. Madje ia kanë rritur. Tiranës i kishin parashikuar 7, ia kanë rritur në 11 milionë euro”, u shpreh Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.