Ballina Aktualitet

Ruçi: Partneriteti Strategjik me Kosovën, model i bashkëpunimit rajonal

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja e këtij Komisioni, Time Kadrijaj, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ndodhej edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani.

Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve, i cili është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike të vendeve tona.

“Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Shqipëria mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Uashington në 4 Shtator 2020 nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç, në prani të presidentit të SHBA, Trump, dhe e konsideron si një hap të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke midis dy vendeve. Ne vlerësojmë rolin dhe angazhimin e presidentit të SHBA-ve dhe administratës së tij në avancimin dhe konsolidimin e procesit të paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes Euroatlantike të rajonit. Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE. Në politikën e jashtme nuk mund të arrihet asnjëherë një fitore e plotë, e menjëhershme”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për pritjen dhe vuri në dukje se, “mbështetja e Shqipërisë për Kosovën, e cila kurrë nuk ka munguar, është një inkurajim i madh për institucionet e Kosovës. Çdo arritje e Shqipërisë është edhe e Kosovës dhe anasjelltas. Ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTeatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthen “Jul Çezarin”
Artikulli tjetërPD kallëzon në SPAK inceneratorin e Fierit