TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Partia Demokratike kallëzoi sot në SPAK ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata u shpreh se “sot është e treta ditë që padisim në SPAK koncensionet për inceneratorët”.
“Kemi përsëri një kompani që pa para, pa garë, pa eksperiencë merr 28 milionë euro nga qeveria, ndërkohë që 15 milionë euro i merr kredi për të bërë shpenzimet përkatëse. Si ka mundësi që një kompani italiane hyn me 20% të aksioneve të një kompanie me 28 milionë euro dhe shet ato aksione për 150 euro?” – tha Gjata.
Ai theksoi se inceneratori i Fierit duhet të kishte nisur nga puna në vitin 2019, dhe për mbi 1 vit e gjysmë vonesë duhet të penalizohet dikush, pasi ato janë para.
“Këta njerëz bëjnë me dhjetëra akte brenda ditës. Kemi të bëjmë me vjedhje galopante, ku brenda ditës firmoset gjithçka. Çfarë koncensioni është ky që shteti thotë: ‘na paratë e mia dhe bëje’ dhe direkt pa filluar puna merr 5 milionë euro që ditën e parë që firmos kontratën”, tha Gjata.
Ndërsa ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se “kjo është një kërkesë për të testuar edhe drejtësinë e re”./m.m/j.p/r.e/























