Ballina Kosova

Gashi në Samitin e Londrës: Kosova e përkushtuar në luftën kundër terrorizmit

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/- “Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të specializuara do të vazhdojnë të mbeten të përkushtuara për të dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer për të luftuar deri në fund terrorizmin, këtë të keqe të madhe të njerëzimit”.

Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shteteve të Procesit të Berlinit dhe institucioneve në fushën e sigurisë.

Samitin e hapi ministri i Shtetit për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, i cili trajtoi rëndësinë e sigurisë, terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimeve të rënda dhe të organizuar.

Në këtë samit, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi duke diskutuar çështjet ndër sektoriale të sigurisë, vuri në dukje përpjekjet që po bën Republika e Kosovës sa i përket Luftës kundër Terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Më këtë rast ministri Gashi theksoi se “terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe mënyrën e jetesës së shoqërisë”.

Ai tha se trendi global i terrorizmit dhe shtrirja e tij, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka kërcënuar gjithë rajonin, Europën dhe më gjerë.

Ai tha se “shteti i Kosovës ka marrë një sërë masash për luftimin e kësaj dukurie, sidomos të shkuarjes së luftëtarëve për shtetin islamik dhe për këtë është miratuar Ligji mbi ndalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit në vitin 2015”.

Po ashtu njoftoi që kanë filluar programet e de-radikalizmit në burgje, ndërsa pritet që shumë shpejtë të themelohet Divizioni për Parandalim dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar, i cili do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Brendshme.

Ministri Gashi theksoi se “qasja në kohë reale në databaza të ndryshme ndërkombëtare dhe shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informacioneve, janë elementet bazike në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit. Në këtë drejtim ai vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL nuk është tashmë nevojë, por domosdoshmëri dhe për aq sa Kosova ka benefit i të qenit pjesë e kësaj familje, po aq përfitime kanë edhe shtetet e tjera dhe INTERPOL-i”.

“Anëtarësimi në INTERPOL, garanton forcimin e zbatimit të ligjit në nivelin ndërkombëtar në luftën kundër krimit trans-nacional përmes shkëmbimit të informacioneve të rëndësishme në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë, operacioneve të përbashkëta policore dhe aspekteve të tjera”, theksoi ministri Gashi.

Ministri Gashi gjithashtu foli edhe për trafikimin e qenieve njerëzore, duke përmendur disa nga arritjet e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në fund, Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Përbashkët “Parimet e Bashkëpunim të Shkëmbimit të informacioneve në fushën e zbatimit të ligjit”./k.s/ j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPaketa për agroturizmin, në përputhje me kërkesat e biznesit
Artikulli tjetërFOTOGALERI/ Çaste pikante nga ndeshjet çerekfinale