Ballina Flash

Dardha turistike/ Rikonstruksioni i plotë i rrugës Boboshticë-Dardhë, impakt në ekonominë lokale

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Nxitja e turizmit dhe diversifikimi i tij për gjatë 12 muajve të vitit, janë pikënisjet kryesore që kanë përfshirë Dardhën, rreth 17 km larg nga Korça, në programin “100 fshatrat”.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet shumë i kënaqur që fshati turistik i Dardhës, një perlë e natyrës, është ndër pikat më të vizituara në Shqipëri nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.
“Por tani, – siç thekson ai, – do të jetë një destinacion edhe më i vizitueshëm falë rikonstruksionit të plotë të rrugës Boboshticë-Dardhë”.
E amortizuar ndër vite rruga që të çon drejt Dardhës shpesh ishte kthyer në një pengesë për turistët, sidomos në dimër. Por tashmë rikonstruksioni i aksit rrugor Boboshticë-Dardhë e bën lehtësisht më të arritshëm fshatin e njohur për natyrën e mrekullueshme dhe kulinarinë e veçantë.
Filo thotë se, me panoramën e mrekullueshme, ajrin e pastër, freskinë dhe kulinarinë e veçantë, ky investim është një vlerë e shtuar që do të ketë ndikim në turizëm dhe ekonominë lokale.

Projekti “100 fshatrat”, sipas tij, është një nga projektet më të mirëkonceptuara për zhvillimin rural, dhe ka ardhur në momentin e duhur.

“Me mbështetjen e qeverisë shqiptare, në kuadër të programit të “100 Fshatrave”, puna do të vazhdojë me hartimin e projektit për sistemimin e pistës së skive dhe ndërtimin e kompleksit turistik dimëror”, – thotë kryetari i bashkisë Korçë.
Me një numër të konsiderueshëm bujtinash dhe tavernash tradicionale, të cilat ofrojnë ushqim tradicional dhe tepër të veçantë, si dhe me infrastrukturën e përmirësuar të pistës së skive që frekuentohet nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë muajve të dimrit, Dardha i ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në model të zhvillimit turistik rural.

/j.p//r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës/ Publikohen dokumentet, familja Përgega mori 500.000 lekë të reja grant Rindërtimi
Artikulli tjetërMë 30 shtator mbyllen transmetimet analoge për qarqet Vlorë, Shkodër, Lezhë dhe Elbasan