Durrës/ Publikohen dokumentet, familja Përgega mori 500.000 lekë të reja grant Rindërtimi

TIRANË, 31 gusht/ATSH-A. Fortuzi/ Bashkia e Durrësit i ka lëvruar 500.000 lekë të reja nga granti i Rindërtimit familjes Përgega, e cila veç të tjerave ka përfituar nga një fond i ndihmës financiare nga bashkia e Moncalvos në Itali.

Bashkia e Durrësit ka reaguar këtë të hënë, duke hedhur poshtë akuzat e kreut të PD-së për Partinë Demokratike në Durrës, duke theksuar se Xhaferraj nuk i di as emrin.

“Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik në lidhje me rastin e znj. Vera Përgega në Porto Romano e cila në bashkëbisedim me kreun e PD-së Xhaferraj ankohet për indiferencën e bashkisë së Durrësit ndaj saj. Fillimisht duhet të sqarojmë opinionin se personi me të cilin ka biseduar kreu i PD-së Xhaferraj nuk quhet Vera Përgega por emri i zonjës në fjalë është Dilë Përgegaj, siç figuron në kartën e saj të identitetit dhe në gjendjen civile. Duket sa i shqetësuar është Xhaferraj për këtë zonjë të cilës nuk i di as emrin”, – njofton bashkia e Durrësit.

“Lidhur me indifirencën e bashkisë ndaj saj, e vërteta është krejt ndryshe. Znj. Përgegaj është asistuar disa herë nga bashkia e Durrësit, kryetarja e njësisë administrative përkatëse dhe punonjësit e kësaj njësie. Znj. Përgegaj i është dërguar një kontejner i posaçëm banimi krejtësisht i kompletuar ku ajo dhe familja e saj qëndrojnë derisa të riparojnë shtëpinë. Shumë herë kjo zonjë ka përfituar ndihma të shumta ushqimore nga bashkia e Durrësit”, sqaron bashkia e Durrësit.

“Po kështu znj. Përgegaj ka përfituar ndihmë financiare edhe nga komuna e Moncalvos në Itali. Nënkryetari i bashkisë së Moncalvos në Itali, Andrea Giroldo, me anë të një emaili zyrtar të datës 4 shkurt 2020 njofton bashkinë e Durrësit se komuna e tij ka mbledhur disa fonde për t’i shpërndarë në tre familje në nevojë që jetojnë jashtë shtëpive të dëmtuara nga tërmeti”, vijon njoftimi.

“Pala italiane kërkon nga nënkryetari i bashkisë së Durrësit Florian Tahiri që të gjejë tre familje në nevojë si dhe të shoqërojë nënkryetarin e bashkisë së Moncalvos në Itali, Andrea Giroldo, në këto familje për t’u dhënë ndihmat. Nga ana e bashkisë së Durrësit u evidentuan tre familje në nevojë që ishin Dilë Përgegaj, Violanda Gjergji dhe Zef Bala. Ka qenë vetë nënkryetari i bashkisë së Moncalvos, Andrea Giroldo i cili në datën 8 shkurt ka mbërritur në Durrës dhe fillimisht është pritur në takim nga nënkryetari i bashkisë së Durrësit Florian Tahiri i cili e ka falenderuar homologun italian për ndihmën. Më pas nënkryetari Tahiri dhe homologu i tij italian kanë shkuar në tre familjet e evidentuara ku nënkryetari i bashkisë Moncalvo i ka dorëzuar nga 1100 euro secilës prej këtyre tre familjeve dhe në foto duket qartë znj. Përgega që merr këtë ndihmë nga z. Giroldo”, thuhet në njoftim.

“Po kështu grupi i inxhinierëve në terren e ka përcaktuar dëmtimin e kësaj shtëpie DS3 dhe znj. Përgegaj ka aplikuar dhe ka përfituar 500.000 lekë të reja nga granti i rikonstruksionit.

Pra znj. Përgegaj ka qenë gjithmonë në vëmendjen kryesore të bashkisë së Durrësit si një familje në nevojë që ka përfituar ndihma ushqimore e financiare madje i është dhënë edhe kontejneri i banimit me të gjitha kushtet për të jetuar derisa të rikonstruktohet shtëpia e saj”, sqaron bashkia e Durrësit.

“Por problemi qëndron se znj. Përgegaj i ka filluar punimet e rikonstruksionit pa njoftuar as në njësinë administrative përkatëse dhe as në Bashki që do të kryejë punime, si dhe nuk ka aplikuar për të marrë lejen përkatëse, ndërkohë që përkrahet në paligjshmërinë e saj edhe nga vetë kreu i opozitës në Durrës. Nëse do të ishin zbatuar të gjithë hapat ligjorë atëherë do të vërtetohej që granti i rikonstruksionit që znj. Përgegaj ka përfituar do të ishte plotësisht i mjaftueshëm për riparimin e shtëpisë së saj. Ftojmë të gjithë të interesuarit të drejtohen në Bashki për të verifikuar me transparencë të plotë të gjithë dokumentacionin përkatës”, përfundon njoftimi i bashkisë së Durrësit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.