PRISHTINË, 29 qershor/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Paolo Alli, president i Asamblesë, të cilit i shprehu falënderimin për vizitën, bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës Asambleja Parlamentare e NATO-s.
“Kosova është faktor stabiliteti në rajon, e përkushtuar për dialog me Serbinë që do të sjell paqe të qëndrueshme në tërë rajonin”, tha ai.
Kosova, sipas presidentit e mirëpret rikthimin e vëmendjes së BE-së në rajonin e Europës Juglindore, me strategjinë dhe Samitin e Sofjes.
“Rezultate konkrete të menjëhershme janë zgjidhja e kontestit të emrit mes Greqisë e Maqedonisë, si dhe fillimi i fazës përfundimtare të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë”, nënvizoi Thaçi.
Duke folur për kërcënimin global nga terrorizmi, presidenti Thaçi theksoi se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit e radikalizmit.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës.
Në fund, presidenti Thaçi tha se NATO është në Kosovë, por tani është koha që edhe Kosova të jetë në NATO.
Sipas tij, FSK-ja është e gatshme për transformim në një forcë profesionale./KosovaPress/k.s/





















