TIRANË, 14 Mars/ATSH/.- Elbasani është shndërruar sot në epiqendrën e festimeve të Ditës së Verës, një festë tradicionale kjo për këtë qytet dhe që më pas u përfshi në kalendarin e festave zyrtare.
Atmosfera festive në qytetin e Elbasanit ka mbushur bulevardin kryesor që në orët e para të mëngjesit. Qindra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqipfolëse kanë zgjedhur të festojnë ardhjen e stinës së ngrohtë nga qyteti i luleve.
Po ashtu, prej ditës së djeshme, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Elbasan kabinetin qeveritar, për të trajtuar përveç projekteve zhvillimore edhe problematikat me të cilat ndeshet komuniteti.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje diellore nga Elbasani ju uroj Gëzuar Ditën e Verës”, shkruan Kryeministri në rrjetin social “Facebook”.
Me rastin e Ditës së Verës, Bashkia e Elbasanit ka organizuar një sërë aktivitetesh, që do të ndezin atmosferën festive në këtë qytet./m.m/























