TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me ndihmat e qeverisë për ata që kanë humbur vendet e punës, ku sipas tij, qeveria ua ka vonuar.
Basha shprehet se “me mijëra njerëz në të gjithë vendin tregojnë mungesën e ndihmës dhe braktisjen nga shteti. Të përjashtuar nga plani i qeverisë, çdo ditë që kalon, për ta është një ditë pa bukë”.
“Duhet një plan i mirëmenduar mbështetjeje për të gjithë familjet shqiptare sipas nevojës dhe kushteve të secilit. Pagesa e mbijetesës për këdo që ka humbur punën nuk mund të vonohet më asnjë ditë! Qeveria e ka për detyrë kushtetuese dhe ligjore të garantojë shëndetin dhe jetesën e çdo shqiptari”, tha ai.
Po ashtu Basha thekson se “i bëj edhe një herë thirrje të shpërndajë pa asnjë vonesë fondet e ndihmës ekonomike dhe të rrisë buxhetin për emergjencën! Koha është tani”.
/j.p//r.e/






















