TIRANË, 26 mars/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar lidhur me hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, duke e cilësuar si një arritje historike dhe plotësisht e merituar, për shkak të reformave domethënëse të ndërmarra në Shqipëri.
Ky vendim, sipas kryediplomatit Cakaj, do të ishte i pamundur pa mbështetjen politike të vendeve anëtare dhe institucioneve të tjera europiane.
“Prandaj, sot gjithë ministrave të jashtëm të BE-së, autoriteteve të Komisionit e kolegëve të tjerë brenda institucioneve evropiane, e miqve të Shqipërisë anekënd Europës, i shprehim një falënderim të posaçëm e mirënjohje të thellë”, u shpreh Cakaj.
Gjithashtu, Cakaj në reagim theksoi angazhimin e Shqipërisë në thellimin e reformave të saj në pesë prioritetet kyçe e në vijim të punës së pakursyer në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.












