SELANIK, 24 shkurt /ATSH-ANA-ANSA/ – E ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë brenda BE-së, deklaroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në fjalimin e tij në Konferencën e nivelit të lartë që po zhvillohet sot në Selanik.
”Qëllimi ynë i përbashkët është një Europë paqësore, e fortë, e qëndrueshme, e prosperuar dhe e bashkuar përmes integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE”, shtoi ai.
“Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e Europës dhe politika e zgjerimit e BE-së është mjeti më i fortë për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reformat e nevojshme, nga njëra anë, ndërsa BE-ja duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe t’u japë kredi atyre vendeve që e meritojnë atë, nga ana tjetër”, theksoi Dendias.
”Selaniku është një vend emblematik për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe prej këtej ne duam të lëshojmë përsëri një mesazh të qartë politik, sërish në mbështetje të perspektivës europiane të rajonit”, theksoi ai.
”Zgjerimi është garancia më e mirë për paqen dhe stabilitetin për të gjithë kontinentin”, shtoi ai.
Ndër çështjet që do të diskutohen në këtë konferencë është hapja e negociatave për pranimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që u shty tetorin e kaluar nga Franca, por edhe çështja e Kosovës, me shpresë për të rifilluar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës si edhe krizat që janë shfaqur kohët e fundit në Bosnje-Hercegovinë dhe Malin e Zi.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias po kryeson sot në Selanik një konferencë të nivelit të lartë, të organizuar nga diplomacia greke, lidhur me perspektivat europiane të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca me titull “Nga Selaniku në Zagreb” do të përqendrohet në perspektivën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në muajin maj në Zagreb./ /os/ a.jor.












