BRUKSEL, 16 janar /ATSH-AFP/- Rifillimi i luftimeve intensive midis forcave të regjimit sirian të mbështetura nga Rusia dhe luftëtarëve xhihadistë e rebelë, në provincën Idleb, në veriperëndim të Sirisë, është një burim i madh shqetësimi, tha sot shërbimi diplomatic i BE-së.
“Është një burim i madh shqetësimi. Ne po shohim një numër në rritje të viktimave civile dhe shfaqjen e rrezikut të zhvendosjes së një numri të madh refugjatësh ose personash në brendësi të vendit”, deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i kreut të Diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Nëse është negociuar një armëpushim, qoftë nga regjimi rus, turk ose sirian, ai duhet të respektohet. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje. BE bën thirrje për ndalimin e operacioneve ushtarake dhe një zgjidhje politike”, këmbënguli ai.
Rifillimi dje i luftimeve kundërshton armëpushimin e njoftuar më 9 Janar nga Moska, një aleat i madh i regjimit. Nisma u konfirmua nga Turqia, mbështetës i disa grupeve rebele./ /ervo/














