Ballina Ekonomi

Banka Botërore mbështetje dhe ekspertizë për zhvillimin e integruar të “ekonomisë blu”

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të detarisë, infrastrukturës portuale, turizmit dhe peshkimit, përmes zbatimit të politikave të integruara në mbështetje të ekonomisë blu, ishte kryefjala e takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe kreut të Autoritetit Portual Durrës.

Ekspertët e industrisë detare pranë Bankës Botërore, Jo Scortino, Stefán Þórarinsson dhe  Ögmundur Knútsson, ndanë me kreun e APD-së, Pirro Vengu, analizën e tyre lidhur me mirëqeverisjen e autoriteteve portuale, si strukturë mbështetëse në zhvillimin e turizmit dhe peshkimit.

Vengu nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një potencial rajonal për të çuar përpara zhvillimin e integruar të ekonomisë blu (Blue Economy), nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inxhinierike dhe planifikuese për infrastrukturën portuale dhe menaxhimin detar në rang kombëtar.

“Në kuadër të një programi mbështetjeje të dedikuar, Banka Botërore do të vijojë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe APD, në funksion të mirë menaxhimit të resurseve nën-ujore dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, bën të ditur Autoriteti Portual i Durrësit./a.gjonaj/ /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRevolucioni dixhital, Manastirliu: Aplikim për ndihmën ekonomike online, së shpejti vërtetimi me nënshkrim elektronik
Artikulli tjetërSHBA – Senati pranon aktakuzën kundër Trump, pritet fillimi i procesit