TIRANË, 8 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Policia e Tiranës godet dy raste të mitdhënies.
Sipas njoftimit të publikuar nga Policia e Tiranës, në pranga kanë rënë dy drejtues mjetesh, të cilët për t’i shpëtuar masës administrative, tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.
“Në funksion të patrullimeve në zona të ndryshme të Tiranës, rrugorët e kryeqytetit kanë ndaluar në rrugën “Ndre Mjeda” drejtuesin e mjetit me iniciale F. M., 58 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, ai i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh”-, njofton Policia e Tiranës.
“Gjithashtu, në rrugën “Konferenca e Pezës” është ndaluar drejtuesi i mjetit me iniciale Xh. T., 21 vjeç, i cili i ka ofruar agjenti verifikues të qarkullimit një shumë lekësh, me qëllim mosvijimin e procedurave administrative ndaj tij”-, vijon njoftimi.
“Në të dy rastet, efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe janë bërë procedurat administrative për kundërvajtjet e konstatuara”-, përfundon njoftimi, teksa është publikuar dhe video e kamerave trupore të efektivëve të qarkullimit rrugor të cilat kanë filmuar momentet e tentativave së mitëdhënies. /j.p/






















