TIRANË, 8 janar/ATSH/ Në Elbasan ka nisur puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara në përroin e Zaranikës nga shirat e dhjetorit.
Maksim Malaj, prefekti i qarkut të Elbasanit, shpjegoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se këshilli bashkiak mori vendimin për të ndërhyrë duke përdorur fondet e emergjencës së bashkisë. Sipas tij, prej dëmeve të shkaktuara u rrezikua një shtëpi dhe një kabinë elektrike, ndaj edhe nisi me emergjencë puna për riparimin e tyre në kohë.
“Do bëhet riparimi i segmenteve të dëmtuara me fondin 10 milionë lekë. Projekti tjetër është ai me fondet e qeverisë për të gjithë shtratin e Zaranikës. Për këtë vit është 3.2 milionë euro. Për 2019 ishte 1.5 milionë euro”, – u shpreh Malaj për ATSH-në. Më tej, prefekti i qarkut të Elbasanit informoi se janë rreth 1100 blloqe që do të vendosen në pjesët e dëmtuara në 9 segmente.
Përroi i Zaranikës ka një shtrirje prej 5,1 km.
/z.tosku/j.p/






















