TIRANË, 11 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama theksoi sot se në gërmadhat e tërmetit do të ndërtohet platforma e një faze të re jo për vetëm zonat e prekura, por të gjithë vendin.
Në takimin e fundvitit me ambasadorët dhe trupën diplomatike të akredituar në Tiranë, Rama u shpreh se, “qeveria shqiptare i sheh këto gërmadha si shesh beteja ku njerëzit tuaj krah njerëzve tanë luftuan për të nxjerrë dhe shpëtuar njerëz nga tanët, si platformën e një faze të re jo për vetëm zonat e prekura, por të gjithë vendin, nga përgjigja imediate tek procesi i një rindërtimi për të cilin pa diskutim kemi nevojë të vazhdojmë t’ju kemi në krah dhe të jemi së bashku”.
“Procesi i rindërtimit ka nisur. Ne kemi krijuar një Komitet Kombëtar të Rindërtimit dhe kemi filluar punojmë intensivisht pa pushim , pa orar për të përgatitur planin Kombëtar për Rindërtimin. Pak ditë më parë në Kuvend ne prezantuam dhe miratuam në parim buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin ne kemi parashikuar një alokim fillestar fondesh prej pothuajse 200 milionë dollarësh për të mos humbur kohë me nisjen e procesit të rindërtimit që padiskutim do të kërkojë kohë ende më tepër se kaq. Dhe detyrimi ynë prioritar është të ofrojmë një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë për të gjitha familjet që kanë humbur çatinë në këtë katastrofë”, tha Rama.
“Por për këto raste Rusoi na paralajmëron që të kemi mendjen. Bota e realiteteve ka kufijtë e saj ndërsa ajo e imagjinatës kufijtë nuk i njeh. Pra duhet të jemi realist dhe besoj se ne jemi realist dhe e dimë shumë mirë që për ta përmbyllur procesin e rindërtimit na duhet më shumë, por nga ana tjetër nuk duam që procesi i rindërtimit të bëhet në kurriz të së ardhmes të të gjithë qytetarëve dhe të fëmijëve të këtij vendi”, theksoi Rama.
Natyrisht, vijoi Rama, “ne e dime shumë mirë që kjo është e përkohshme dhe koha nuk punon për ne. Për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka që të mos e lëmë kohën që të vijë dhe të përplaset kundër nesh. Që do të thotë duhet të pajtojmë afatet e përkohshmërisë me afatet e nevojshme për përditshmërinë e qëndrueshme të njerëzve. Duam të rindërtojmë në kuptimin më të plotë të fjalës. Duam të ndërtojmë zona me standarde të reja dhe shembullore në aspektin e planifikimit dhe të cilësisë së jetës urbane dhe duam që t’i akomodojmë në shtëpi më të mira se ato që kishin të gjitha ata që jetojnë në zonat rurale”.






















