https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155841335031523/
TIRANË, 29 Maj/ATSH/ – Këtë sezon veror rruga e Pyllit të Sodës është një hapësirë e re turistike e qytetit të Vlorës, në jug të vendit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në facebook, një video nga kjo rrugë, duke shkruar se, “Mirëmëngjes dhe me këto pamje të rrugës së re turistike të Pyllit të Sodës në Vlorë, ju uroj një ditë të mbarë”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) zbatues i projektiti ka punuar jo vetëm në asfaltim, por edhe ndriçim, trotuarë dhe gjelbërim dhe një korsi dedikuar për çiklistët.
Ndërkohë po punohet për sinjalistikën vertikale dhe horizontale.
Rikonstruksioni i rrugës së pyllit të Sodës financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB), në kuadër të projektit “Punët në Komunitet IV”.
Kjo rrugë shpeshherë për shumë drejtues automjetesh ka qenë gati e pamundur të kalonin nga Vlora në Zvërnec apo zonat përreth. Por falë investimit që u krye prej disa muajsh rruga i është nënshtruar rikonstruksionit total dhe është tashmë një realitet i udhëtimit komod dhe qarkullimit të mjeteve.
Janë rreth 5 kilometra që janë transformuar rrënjësisht. Ndër fatlumët janë dhe çiklistët, të cilët do të kenë dhe korsinë e tyre.
Ky projekt është një vlerë e shuar për kreacionin e një hapësire të re turistike, ku do të zgjatet edhe pjesa perëndimore e Lungomares.
/gj.mima/ /a.g/





















