ATHINË, 28 maj /ATSH-AFP/ – Ministrat grek dhe maqedonas të Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov shprehën sot optimizmin e tyre pas bisedimeve në Bruksel për një zgjidhje të mosmarrëveshjes për emrin e ardhshëm të Maqedonisë duke theksuar se negociatat ishin në stadin final.
Pas bisedimeve të dielën në mbrëmje mes dy ministrave, në kuadër të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian (BE), Nikola Dimitrov deklaroi sot për agjencinë greke të lajmeve, ANA se negociatat ishin në stadin final.
Sipas ministrit maqedonas, takimi me homologun grek ishte i suksesshëm dhe negociatat do të vazhdojnë mes ekspertëve për çështjet juridike dhe teknike.
Ai theksoi se ishte e mundur arritja e një zgjidhjeje deri në samitin europian të 28 qershorit.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian dhe përfaqësuesja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini konfirmoi se Nikola Dimitrov e kishte informuar për këtë çështje gjatë një dreke punë jozyrtare.
“Ne jemi të inkurajuar nga progreset e kryera përsa i përket negociatave për çështjen e emrit të Maqedonisë”, theksoi për median Federica Mogherini para pjesëmarrjes në takimin e ministrave europianë të Punëve të Jashtme.
“Emrat e diskutuar aktualisht mes Athinës dhe Shkupit janë Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Veriut apo Maqedonia e Re”, sipas një burimi grek.
Nikola Dimitrov theksoi se një bisedë telefonike do të zhvillohej këtë javë mes kryeministrave grek, Aleksis Cipras dhe maqedonas, Zoran Zaev për finalizimin e marrëveshjes./ /ec/ a.jor.























