PRISHTINË, 28 Maj/ATSH/.- Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, deklaroi sot se ka progres në axhendën e reformave, e cila parashikon zbatimin e 22 prioriteteve nga një sërë institucionesh.
Këto komente ministrja Hoxha i bëri në tryezën e diskutimit me temë ”Axhenda për Reforma Europiane (ERA), sfidat dhe pritshmëritë”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
“Deri tani ka progres të konsiderueshëm, ky progres ka përparuar sidomos pas miratimit të 11 ligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sa i përket sundimit të ligjit ndër arritjet më të mëdha është miratimi i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe miratimi i ndryshimit të ligjit për prokurorinë e shtetit. Në këtë drejtim, ka pasur progres edhe në një numër të prioriteteve”, theksoi Hoxha, duke cekur disa nga këto prioritete.
Ajo shtoi se duhet të tregohet përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve dhe MIE është duke ndihmuar në këtë drejtim dhe po punon ngushtë me të gjitha institucionet për të zbatuar këto prioritete.
“Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe përmirësimi i klimës për investime, si dhe politikat më të përparuara të punësimit dhe arsimit të lartë janë padyshim detyrimi ynë karshi qytetarëve të vendit tonë”, tha Hoxha, duke theksuar angazhimin gjithëpërfshirës institucional, por edhe përfshirjen edhe të shoqërisë civile./KosovaPress/k.s/





















