TIRANË, 8 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi / Dy operacione policore janë finalizuar mëngjesin e sot nga Policia e Lezhës dhe ajo e Vlorës, ku u ndaluan tre persona, dy për tentativë vrasje dhe një për prodhim dhe trafikim narkotikësh.
Sipas njoftimit të Policisë Lezhë, u finalizua me sukses operacioni “Dajçi”, ku si rezultat u
kapën dhe ndalohen dy të rinj, të kërkuar për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”.
“Në zbatimin të planit të masave për kapjen e personave në kërkim dhe pas një pune të mirë-organizuar nga Komisariati i Policisë Lezhë është finalizuar operacioni policor i koduar “Dajçi”, në kuadër të të cilit, u bë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim: K. N., 25 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, i dënuar më parë, person në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. K. P. (Sh.), 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ishull, Lezhë, i dënuar më parë, person në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë””-, njofton Policia e Lezhës.
“Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi më datë 28.09.2019 në bashkëpunim me njëri-tjetrin në lagjen SMT, Lezhë, tek “Ura e Cenit”, pas një konflikti për motive të dobëta kanë plagosur rëndë me armë zjarri shtetasin S. N. Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtja pa leje “”-, përfundon njoftimi i Policisë së Lezhës.
Në Vlorë, Policia e qytetit bregdetarë njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Drashovica”.
“Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 56 vjeç, banues në Drashovicë, Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 9.3 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Kanabis Sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””-, bëhet me dije nga Policia e Vlorës. /a.g/























