Ballina Flash

Drama gjermane “Eldorado”, premierë në teatrin e Durrësit

TIRANË, 28 tetor/ATSH/-  Në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit fundjavën që kaloi u shfaq premiera e dramës “Eldorado”, vepër e dramaturgut bashkëkohor gjerman Marius von Mayenburg.

Trupa teatrore nën drejtimin e regjisorit Stefan Çapaliku fitoi duartrokitjet e publikut, jo vetëm falë interpretimit mjaft të mirë të aktorëve, por edhe për shkak të mesazhit aktual të veprës.

Në grupin e interpretëve, shumica e të cilëve janë pjesë e trupës së teatrit “Moisiu”, u dallua Ervin Doko në rolin e Antonit, i cili bashkë me figurën e plotë që krijoi, përballoi me sukses ngarkesën më të madhe të shfaqjes. Suela Bako, Andja Xhunga, Bes Bitraku, Ina Morinaj dhe Ledian Gjeçi plotësuan ansamblin aktorial të premierës “Eldorado”, një nga shfaqjet më të mira që është ngjitur në skenën e teatrit “Moisiu” gjatë viteve të fundit.

Vepra e përzgjedhur nga regjisori Stefan Çapaliku, skenografia mjaft funksionale e shfaqjes nga Sadik Spahija, si dhe koreografia e Gjergj Prevazit e bëjnë “Eldoradon”, një shfaqje të plotë me mesazhe të qarta  edhe për publikun që mbushi sallën e teatrit të Durrësit.

Vënia në skenë e dramës “Edorado” është pjesë e një projekti teatror në kuadër të Tetorit Gjerman, mbështetur nga Qendra “Gëte” në Tiranë

Pas premierës së Durrësit drama “Eldorado” do të jetë mysafire në  Tiranë e Shkodër./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta-Kurti: Kosova të ecë në rrugën e forcimit të institucioneve demokratike
Artikulli tjetër“Latitude” patenta australiane e argëtimit risi në Tiranë, punësohen 110 persona