TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, “shumica e vendeve të BE ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave”.
Në një konferencë për shtyp, Basha tha se, “vlerësim sipas meritës është qëndrimi i prerë i vendeve anëtare për vendet që duan t’i bashkohen BE-së. Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave”.
Për këtë, theksoi ai, “u artikuluan disa kushte që në thelb tregojnë se qeveria ka bërë hapa pas nga viti në vit. Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen si azilkërkues. Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e Bashkimit Europian. Ndëshkimi i blerjes së e votës, funksionimi i gjykatave të larta të vendit, vënia para drejtësisë e të inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e negociatave”.
“Këto nuk janë probleme të Bashkimit Europian siç deklaron propaganda e drejtuar nga kryeministri aktual. Janë probleme të qeverisjes së tij”, – theksoi Basha.
Krejt e ndryshme, vijoi ai, “paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht për këtë vend dhe një mbështetje gati unanime për hapjen e negociatave. Megjithatë kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, i riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”.
Nga ana tjetër, nënvizoi Basha, “qeveria jonë, e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar. Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane”.
“Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania që i tha “po” Shqipërisë dhe “jo” qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur. Në Europë shkohet duke ndërtuar fillimisht standardet europiane në vendin tënd”, – u shpreh ai.
“Por, – tha Basha, – kjo nuk i intereson Edi Ramës, sepse kjo nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të politikes nga krimi, ndarje dhe balancim të pushteteve, institucione të forta dhe të pavarura të drejtësisë”.
/gj.mima/ /a.g/






















