Ballina Aktualitet

Integrimi i shqiptarëve në Kanada, model suksesi

TIRANË, 9 Mars/ATSH/.- “Modeli i integrimit të shqiptarëve në Kanada është një prej më të suksesshmëve”, deklaroi Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë një vizite pune në Kanada. Në kuadër të kësaj vizite, Majko zhvilloi takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe zyrtarë të qeverisë. Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e “Bashkësisë Shqiptare Kanadeze” dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Hamiltonit, Ministri e cilësoi diasporën në Kanada si një fenomen, për shkak të grumbullimit të madh të intelektualëve dhe vlerësoi modelin e integrimit të shqiptarëve atje, si një prej më te suksesshmëve.Ministri u njoh me projektin për ngritjen e “Shtëpisë së Shqiptarit’, qendra që do t’i dedikohet aktiviteteve kulturore e gjithashtu mësimit të gjuhës shqipe. Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me Kosovën, për ta trajtuar komunitetin shqiptar si një të tërë. Në takim u fol për marrëveshjet dypalëshe lidhur me diasporën, si ato për hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore në të gjithë boten dhe për fushën e arsimit. “Nëse nuk do të kujdesemi për identitetin tonë do të humbasim mijëra të rinj pa bërë asnjë luftë’, tha Majko.Ndërkaq, në takimin me kreun e Asamblesë Legjislative të Ontarios, Dave Levac, ministri vlerësoi përfshirjen e gjuhës shqipe në programin shkollor në këtë rajon dhe kërkoi shtrirjen e këtij standardi kudo ku jetojnë shqiptarët në Kanada. Levac shprehu gatishmërinë e tij për të mundësuar një dialog konstruktiv me autoritetet e rajoneve të tjera, por edhe me ato të qeverisë federale.Në takim u fol gjithashtu për bashkëpunimin mes universiteteve të të dyja vendeve për programe të shkëmbimit studentor.Te dy zyrtarët u dakordësuan se nëse i ashtuquajturi ‘brain drain’ kanalizohet siç duhet, kjo i shërben si vendit të origjinës ashtu edhe shtetit pritës.Të enjten Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës organizuan një pritje në nder të dy Ministrave të Diasporës, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi dhe gjithashtu përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar në Ontario. Të ftuar në pritjen e zhvilluar në ambientet e parlamentit të Ontarios ishin Laura Albanese, Ministre për Emigracionin, Kreu i Asamblesë Legjislative Dave Levac, Reza Moridi, Ministër i Shkencës dhe Inovacionit në qeverinë lokale, Shafiq Qadri, deputet dhe mik i komunitetit shqiptar etj. Albanese, mbështetëse e fortë e ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare vlerësoi kontributin e komunitetit tonë, duke e cilësuar atë si një vlerë të shtuar të shoqërisë kanadeze. Të ftuarit vizituan më pas ekspozitën fotografike të mundësuar nga Ambasada e Shqipërisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHISTORI – 100 vjet nga gripi spanjoll, virusi që vrau më shumë se luftrat botërore
Artikulli tjetërBERLIN – Finalizohet qeveria e re e kancelares Merkel