HISTORI – 100 vjet nga gripi spanjoll, virusi që vrau më shumë se luftrat botërore

MADRID, 9 mars /ATSH-AFP/ – Me të paktën 50 milionë të vdekur, epidemia e gripit spanjoll shkaktoi nga viti 1918 deri në 1920 një masakër shumë më të rëndë sesa luftrat botërore me 10 milionë ushtarë të vrarë. – Spanjoll? – Origjina e epidemisë me shumë gjasa nuk ka asnjë lidhje me vendin e Servantesit, atëherë përse ky grip u quajt spanjoll? Pa dyshim për shkak të sekretit ushtarak që lidhej me shëndetin e ushtarëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Ishte e pakuptimtë për gazetat që të raportonin një virus që shfaroste trupat e ushtrive.  Nga ana tjetër, media mund të shkruante lirshëm për gripin që goditi Spanjën, shtet asnjanës që nuk iu nënshtrua censurës. – Origjina – Origjina e epidemisë nuk është përcaktuar me vërtetësi. Rastet e para u regjistruan në muajin mars të vitit 1918 në Kansa në radhët e ushtarëve amerikanë. Sëmundja më pas u përhap në Europë në sajë të autokolonave ushtarake. Pandemia u përhap në të gjithë botën në tri valë, e para në pranverën e vitit 1918 me një numër të vogël të rasteve të vdekjeve, më pas dy të tjera më të ashpra për shkak të mutacioneve të mundshme të virusit që e bënin edhe më tepër agresiv. – Virusi – Virusi i gripit, shkaktar i kësaj pandemie është i tipit A(H1N1), si ai i pandemisë së gripit të vitit 2009 (që regjistroi 18 500 të vdekur sipas bilancit zyrtar të OBSH-së dhe rreth 200 000 të vdekur sipas dy vlerësime të raportuara më pas). – Të rinjtë – Ndërsa sot epidemitë e gripit sezonal janë veçanërisht të rrezikshme për personat e moshuar dhe fëmijët, gripi spanjoll kishte si karakteristike të prekte kryesisht moshat e reja. Shënjestra e tij ishin personat e moshave nga 20 deri në 40 vjeç. – Shkalla e patogjenitetit – Përhapja e epidemisë shpjegohet gjithashtu nga lufta. Lëvizjet e trupave ndikuan në përhapjen e virusit, plagët dhe mungesat jetike ulën shkallën e mbrojtjes imunitare. – Impakti global – Nuk ka bilance të raportuara në statistika të sakta për këtë epidemi. Përllogaritjet e atëhershme raportonin për rreth 21 milionë të vdekur. Por, sipas vlerësimeve të mëvonshme, rreth një e treta e popullsisë globale u prek nga virusi dhe të paktën 50 milionë persona rezultojnë të vdekur.

Hulumtuesit Niall Johnson dhe Juergen Mueller konfirmuan në 2002 se bilanci i vërtetë i epidemisë mund të jetë në rendin e 100 milionë viktimave. Shumë pak rajone në botë i shpëtuan pandemisë. Australia renditet në mesin e shteteve më pak të prekura në sajë të një politike strikte të vendosjes në karantinë. Në vitin 1922 u krijua Shoqëria e Kombeve (SDN), Komiteti i Shëndetësisë dhe i Organizatës së Higjenës që u pasuan me themelimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për t’iu përgjigjur vullnetit për të luftuar më së miri këto lloj katastrofash.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.