TIRANË, 29 korrik/ATSH/- Në portin e Durrësit vijon rritja e ndjeshme e mallrave të përpunuar në kalatat portuale.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “anija “Milos”, me flamur të Liberisë ka shkarkuar dje në terminalin e mallrave gjenerale 283 tonë ngarkesë speciale. Anija me gjatësi 189,90 m dhe 32,26 m e gjerë ka mbërritur në portin e Durrësit më 15 korrik”.
Sipas APD, këtë fillim jave në portin e Durrësit janë në proces përpunimi “Agios Rafail”, “Apache” dhe “MSC Namibia II.
Në radën portuale dhe në pritje gjatë këtyre ditëve janë edhe 6 anije të tjera, kryesisht me kontejnerë, çimento, skrap, gurë dhe sojë.
Gjatë 6-mujorit në katër terminalet e portit të Durrësit janë përpunuar rreth 193 mijë tonë mallra më shumë se sa në periudhën janar-qershor të vitit 2018. Pjesa më e madhe e mallrave janë përpunuar nga anijet tregtare, 1.559.017 tonë mallra gjithsej, ndërsa pjesa tjetër afro 460 mijë tonë import-eksporte janë përpunuar nga tragetet që hyjnë e dalin në portin më të madh të vendit tonë./k.s/




















